To top
7 Qer

Ruçi, priti Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, z. Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, z. Glauk Konjufca, i cili ndodhet në vizitë zyrtare në Tiranë.

Kryetari Ruçi vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer vëllazëror midis dy vendeve dhe shprehu angazhimin e Kuvendit, Qeverisë dhe të insitucioneve shqiptare për të thelluar bashkëpunimin me Kuvendin, Qeverinë dhe institucionet kosovare, bashkëpunim i cili vlerësohet nga Shqipëria si strategjik, stabilizues për rajonin dhe orientues për perspektivën euroatlantike. “Partneritetin Strategjik gjithëpërfshirës me Kosovën duhet dhe mund ta bëjmë një model dhe inkurajim për bashkëpunimin rajonal. Ky bashkëpunim merr një rëndësi të veçantë në kushtet aktuale, kur Kosova po përballet me sfida të rëndësishme për të ardhmen e saj.  Shqipqëria vlerëson vizitën e fundit të Zëvendësndihmës Sekretarit të shtetit Mathew Palmer dhe të ngarkuarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi Mirosllav Lajçak ne Prishtinë dhe Beograd dhe kontributin e tyre për  rinisjen e dialogut Kosovë-Serbi, në koordinim me partnerët strategjikë të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Rezultati përfundimtar duhet të jetë një Marrëveshje e detyrueshme ligjore, që mundëson njohjen e ndërsjellët mes dy vendeve, anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe BE, si dhe trajtim të drejtë të minoriteteve, konform Kushtetutës së Kosovës. Ne duhet te kuptojme se me ShBA dhe BE, gjithshka është e mundur për Kosovën.  Pa ShBA dhe BE, gjithshka është e rrezikuar për Kosovën.”, nënvizoi Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca, falenderoi Kryetarin Ruçi për pritjen vëllazërore dhe vuri në dukje se kjo është vizita e parë e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës jashtë vendit dhe simbolikisht ajo realizohet në Shqipëri, duke respektuar traditën e institucioneve kosovare. “Bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Kosovës duhet të fuqizohet e zgjerohet akoma më shumë në linjën e bashkëpunimit midis dy shteteve të një kombi.  Ndihma e Shqipërisë për Kosovën është e rëndësishme në kushtet aktuale, sidomos për përballimin e dy sfidave të mëdha me të cilat po përballet Kosova: dialogu i vështirë me Serbinë, i cili duhet të çojë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila do t’i japë fund konfliktit të gjatë, ende të pambyllur; dhe përballimi i akuzave të padrejta ndaj ish drejtuesve të lartë të Kosovës, krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.”, nënvizoi Kryetari Konjufca.

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, dhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, z. Glauk Konjufca, u shprehën të një qëndrimi se UÇK dhe Kosova ishin dhe janë në anën e drejtë dhe të duhur të historisë dhe se koha punon për të drejtën, për Kosovën.

Pas takimit, Kryetari Ruçi dhe Kryetari Konjufca, dhanë deklarata për mediat.