To top
10 Nën

Post produksioni i “Gjeniut…” Laçot & Hila

Pandi Laço, Adrian Hila dhe Bledi Laço kanë krijuar një ekip që tashmë prej 12 vitesh sjellin pandalur produksione të cilat variojnë nga rrugëtimet nostalgjike si Histori me Zhurmues, apo festimet e traditës muzikore shqiptare dhe mbarë botërore si Këngët e Shekullit e deri tek formate talent shoë si Gjeniu i Vogël i cili sapo mbylli siparin e edicionit të tij të gjashtë. Miqësi e mirë (me doza të lehta ironie tek-tuk), dëshirë për t’u përmirësuar dhe evoluar në mënyrë të vazhdueshme dhe guxim për të jetësuar çdo ide që lind -siç nuk ngurrojnë të theksojnë në çdo moment- në grup, nga të tre. Kjo duket se është “formula” që kanë ndjekur producentët e njohur në realizimin e një mori spektaklesh që na kanë dhuruar emocione të forta jo vetëm neve si audiencë, por edhe vetë atyre si realizues. Ndaj, nuk përbën çudi që edhe ky edicion i Gjeniut të Vogël rezultoi një sukses!

Kanë kaluar vetëm dy ditë nga përfundimi i një rrugëtimi të gjatë prej 15 javësh për Gjeniun e Vogël, por kjo nuk duket aspak në portretin e producentëve teksa i takoj në mëngjesin e së martës në ambientet e Tv Klan. Madje, nëse nuk do ishte për urimet e çdokujt që kalonte atypari, përfshirë dhe vlerësimet shumë të përzemërta të koleges Vera Grabocka, dukej sikur për ta ishte thjesht një ditë e zakonshme pune. “Jemi mësuar me ritme të tilla, pasi nga edicioni i parë i Gjeniut para 10 viteve e deri tek ai i pesti nuk kemi ndaluar në asnjë moment së punuari”- thotë Bledi Laço, regjizor dhe njëri prej “tre fantastikëve” të produksionit televiziv në Shqipëri. “Ndaj, kur nisëm punën për Gjeniun 5 nuk kisha kurrfarë skeptizmi në suksesin e tij në raport me gjetjen e talenteve të mirfillta apo formateve të tjera konkuruese”.

“Gjeniu ka lindur si ide në vitin 2001 dhe u realizua në vitin 2003. Kemi ekzistuar para çdo formati tjetër të ngjashëm.”- thekson kompozitori dhe drejtori artistik Adrian Hila.”Gjeniu do vazhdojë edhe në vitet në vijim, por një gjë është e sigurt: unë nuk do jem më në juri gjatë edicioneve të ardhshme. Ishte një pozicion tejet delikat i cili hera-herës edhe më ka bërë të prekem emocionalisht, si në rastin kur m’u desh t’i thoja Armelës për ditëlindjen e saj që nuk mund të vazhdonte më konkurimin. Me Armelën kisha një marrëdhënie të veçantë sepse i ngjante shumë vajzës sime kur ka qenë e vogël, dhe pasi i thashë që vota ime ishte kundër garimit të saj të mëtejshëm m’u desh të shkoja me vrap jashtë pasi u përlota.” Në fakt, nëse ka patur kontestime ndaj formateve të tilla talent shoë për fëmijë janë gjithmonë të adresuara në dy elementë të spektaklit: repertori me këngë të cilat nuk janë për fëmijë, dhe impakti në psikologjinë e fëmijëve të cilët marrin pjesë. Dhe këto nuk ishin fjalë të reja për veshin e skenaristit Pandi Laço. “Ne jemi shumë të vëmendshëm në zgjedhjen e repertorit, ndaj asnjë nga fëmijët nuk ka kënduar këngë me tekst të papërshtatshëm. Publiku duhet të kuptojë që bëhët fjalë për një spektakël ku nga ana vokale duhet të ketë doza vështirësie të cilat vetëm këngët e “të rriturve” e ofrojnë. Përpos kësa j, vërtetë që për hir të formatit na është dashur t’i ndërpresim rrugëtimin shumë fëmijëve gjatë këtij kompeticioni, por gjithmonë kemi qenë të kujdesshëm, duke ua bërë të qartë që eliminimet janë pjesë e structures së spektaklit, dhe kjo nuk nënkupton mungesë të talentit nga ana e tyre, përkundrazi, unë them me bindje që sidomos gjatë këtij edicioni, fëmijët kane qenë fenomenalë! Në fund të fundit, e njejta logjikë kompetitive qëndron edhe në sistemin e vlerësimit në shkolla. Nëse je nxënës i mire kalon klasën, nëse jo, mbetesh, nuk kualifikohesh. Kur kemi qenë të vegjël bënim Krosin Pranveror, dhe mua Gjeniu më ngjason shumë me të. Disa fëmijë dorëzoheshin që në fillim, disa në mes e disa arrinin deri në finish. Vetë jeta është e tillë dhe ky përbën mësim për fëmijët, por në çdo moment ne i kemi mbështetur dhe u kemi dhënë kurajo që të vazhdojnë të luftojnë për ëndrrën e tyre.” Ky “kurajim” vërehet edhe në mënyrën se si Pandi ka mbështetur edhe konkurentët e X-Factor. Gjatë natës finale djemtë e grupit Klasik kënduan mëe fëmijët e Gjeniut, duke qëndruar në rangun e Vikena Kamenicas, Pirro Çakos apo Aurela Gaçes, dhe kjo është thjesht një pjesë e mbështetjes së vazhdueshme që artistët e rinj që dalin nga këto talent shoë marrin në mënyrë të vazhdueshme.

Pandi: Ajo çka ne do fillojmë të përfshijmë në “paketë” është menaxhimi artistik pas përfundimit të spektaklit, i cili është elementi thelbësor që mungon në Shqipëri. Djemtë e grupit Klasik për shembull kanë repertorin e tyre, dhe të gjithën këtë duke përdorur mundësitë që ofron Televizioni Klan dhe pa kurrfarë pagese. Ky tashmë është kthyer në qëllim tonin, për të krijuar një edukatë të menaxhimit dhe për të sjellë emra të rinj në elitën e muzikës shqiptare. “ Këta fëmijë dhe të rinj kanë talentin e mjaftueshëm për të qenë “shpëtimtarët” e muzikës shqiptare” – përforcon Bledi.

Pandi: Gjithsesi, mbështetja më e madhe e këtyre fëmijëve kanë qenë në mënyrë absolute prindërit! Shumë prej tyre jetonin në rrethe, ndaj pavarësisht kushteve të ofruara nga produksioni për akomodimin e fëmijëve, vazhdimin e studimeve të secilit prej tyre dhe ushtrimin e përditshëm me vocal coach [trajnerët e zërit], ishin prindërit ata të cilët gjatë gjithë këtyre javëve kanë sakrifikuar pa masë. Nata finale solli emocionet gjenuine që vetëm fëmijët mund të të përcjellin, por kjo nuk është plotësisht e vërtetë. Kënga “Falmë” nga Adi Hila me tekst nga Pandi Laço nuk përloti vetëm vajzën e tij e cila menjëherë e kishte telefonuar pas perfromancës, por të gjithë prindërit dhe fëmijët që nuk kanë mundësi të ndajnë shumë kohë bashkë për shkak të angazhimeve. “Kënga ka 5-6 vite që është krijuar dhe nisi pikërisht nga një bisedë midis meje dhe Pandit teksa po vinim në dukje sa kohë kalonim me fëmijët e Gjeniut dhe sa pak kohë kalonim me fëmijët tanë. I tregova muzikën dhe Pandi menjëherë mendoi që fjala më e përshtatshme do ishte pikërisht “Falmë”. (duke qeshur) Ka dhe një version ku është ai [Pandi] që e këndon, por më mirë të mos e publikojmë.” Përsa i përket realizimit vizual dhe snkenik, Bledi tregon se si natyrshëm edhe Gjeniu i Vogël, si çdo format tjetër, është “rritur”, duke iu përshtatur evoluimit të teknologjisë së spektaklit, duke sjellë një produkt të denjë për formatin HD.