To top
25 Tet

Hermann Stingeder dhe “biznesi i mikpritjes”

Hermann Stingeder drejtori i Rogner
Të drejtosh një hotel në mënyrë të suksesshme, për Hermann Stingeder nuk do të thotë thjesht të kesh nuhatje të mirë menaxheriale apo mundësi financiare. Të jesh i suksesshëm në “biznesin e mikpritjes”, siç e quan ai menaxhimin e hotelit, së pari, duhet t’i pëlqesh njerëzit.
Menaxheri austriak ka më shumë se një vit që gjendet në krye të Hotel Rogner-it në Tiranë dhe beson se kryeqyteti shqiptar ia ka mundësuar ta tregojë këtë anë të tij njerëzore: mikpritjen dhe ngrohtësinë, në raport me të tjerët. Që kur erdhi në drejtimin e hotelit, në dhjetor të 2012-s, shumë gjëra kanë ndryshuar në mënyrën e menaxhimit dhe të të bërit biznes te “Rogner”-i. Stingeder pohon se, që t’ia dalësh duhet të kesh njerëzit e drejtë, softuerin e duhur, që bazohet në: të njohësh njerëzit. “Kaq vjet në këtë biznes kam besimin se, nëse nuk i pëlqen njerëzit, nuk ke vend në këtë industri, nuk ke të ardhme”,- pohon menaxheri i përgjithshëm i “Rogner”-it, i cili vërtet di të tregohet miqësor me komunikimin e gjallë dhe plot humor. Porse, sipas tij, një pikë tjetër që rezulton sukses është trajnimi i njerëzve që punojnë me të – gjë që ai nuk e lë pas dore – duke i trajnuar punonjësit sipas “stilit austriak”.
“Të gjithë mund të kenë hotel të bukur. Çelësi është te mënyra si e menaxhon atë. Kjo është një punë zinxhir, ndaj, i rëndësishëm është trajnimi. Mund të të trajnoj të bësh mënyrën më të mirë të mikpritjes, të bësh pritje miqësore. Këtu qëndron edhe sfida”,- shprehet mes të tjerash Stingeder, sipas të cilit, më shumë e rëndësishme se sa një suitë e mirë apo dhomë me pesë yje është shërbimi miqësor.
I vendosur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në qendër të Tiranës, pranë ndërtesës Presidenciale dhe ambasadave të huaja, hoteli është tepër i përshtatshëm për konferenca shtypi dhe takime të këtij lloji.
Pikërisht në këtë pikë, Stingeder sheh edhe një mundësi të mirë investimi në të ardhmen e afërt, në ndërtimin e një qendre të madhe konferencash. Megjithatë, i pyetur për atë se çfarë dëshiron të ndryshojë në të ardhmen, ai shprehet: “Gjithçka do të doja të ndryshojë. Ne jemi vetëm në fillim. Çdo gjë ndryshon në industrinë e mikpritjes”. Kjo është një sfidë që sapo ka filluar për Hermann Stingeder.
Mes Shqipërisë dhe Austrisë ushqim dhe kafe austriake
Një  shef  tjetër  kuzhine,  ushqim  austriak,  si  specialitet në  kuzhinë,  dhe,  veç  të  tjerave,  krahas  kafes  shqiptare, edhe kafe austriake. Këto janë vetëm disa nga gjërat që kanë ndryshuar me ardhjen në krye të Hotel Rogner-it të menaxherit austriak Stingeder. Pas studimeve në një shkollë hotelerie e më pas në ShBA, ku u certifikua në administrim hoteli dhe specializime të mëtejshme  në  menaxhim  e  burime  njerëzore,  Hermann Stingeder  ndihet  me  fat  që  ndodhet  këtu  ku  është  tani. Me Shqipërinë për herë të parë ka pasur kontakt kur ishte ende  nxënës  i  ri  shkolle,  përmes  librit  “Durch  das  Land der  Skipetaren”  të  Karl  May,  autor  ky  gjerman,  i  njohur në Austri dhe Gjermani në ato vite. Atëherë nuk ia merrte mendja  se  do  të  vinte  një  ditë  kur  do  të  jetonte  e  do  të punonte  në  Shqipëri.  Por  e  priti  me  dëshirë  takimin  me zotin  Rogner  dhe  idenë  për  të  drejtuar  Hotel  Rogner-in në Shqipëri. Ai mendon se do të vazhdojë të qëndrojë në Shqipëri  e  ta  drejtojë  Hotel  Rogner-in  edhe  për  shumë kohë.  Te  Shqipëria  tregon  se  ka  gjetur  një  lloj  ishulli qetësie, ndërsa udhëtimi me aeroplan është i shkurtër dhe i zvogëlon distancat mes tij e familjes, duke bërë që herë pas here të bashkohen në Austri apo Tiranë. Robert  Rogner  e  ndërtoi  hotelin  e  parë  me  pesë  yje  në vitin  1995,  duke  përcaktuar  kështu  standarde  të  reja  në tregun e hotelerisë. Prej rreth 20 vjetësh, Hotel Rogner-i në Tiranë ka mbetur pika e referimit për të gjitha aktivitetet më  të  rëndësishme  politike,  ekonomike,  kulturore.    Çdo ditë ambientet e tij frekuentohen nga elita vendase, duke e shndërruar këtë hotel në një arenë biznesi dhe në pikë strategjike të qytetit të Tiranës, por, pse jo, edhe një vlerë e shtuar për një destinacion si Shqipëria.