To top
10 Nën

Festivali i Kanës,drama e lesbikeve fiton “Palmën e Artë”

Edicioni i 66-të i Festivalit të Filmit në Kanë u mbyll me marrjen e “Palmës së Artë” nga regjisori franko-tunizian Abdellatif Kechiche, për filmin “La Vie d’Adele – Chapitre 1&2”. Ai trajton historinë e dy lezbikeve. Aktori më i mirë u shpall Bruce Dern në filmin “Nebraska”, ndërsa interpretuesja më e mirë u vlerësua francezja Berenice Bejo në filmin “Le Passe”. Regjisori më i mirë në Festivalin e Kanës, që zgjati për 12 ditë, u shpall meksikani Amat Escalante me filmin “Heli”. Çmimi për skenarin më të mire iu dha filmit “Tian Zhu Ding” me regjisor kinezin Jia Zhangke.
“Bluja është ngjyra më e ngrohtë”, një histori intime dashurie mes dy femrave të reja franceze, ka fituar “Palmën e Artë”, si filmi më i mirë në Festivalin e Filmit në Kanë. Ajo tërhoqi vëmendjen për shkak të skenave eksplicite seksuale, ashtu si dhe prej performancës tejet të vlerësuar të aktoreve, Adele Exarchoupoulos dhe Lea Seydoux. Filmi 3-orësh me tematikë të kohës, në të cilin Exarchoupoulos luan rolin e një 15-vjeçareje, e cila bie në dashuri me një femër më të vjetër në moshë, të lua jtur nga Seydoux. Filmi, me regjisor Abdellatif Kechiche, mori një furi komentesh në Kanë, teksa u përshkrua si një “intimitet ende epik” nga “The Guardian”. Por, filmi u përball gjithashtu edhe me kritika. Disa revista thanë se ajo përmbante “skenat grafike të seksit mes lesbikeve, ndër më shpërthyeset në historinë e viteve të fundit”.
Këtë vit, në festivalin e 66 të Kanës, morën pjesë filma nga regjisorë të famshëm, Roman Polanski, vëllezërit Cohen etj. Tapeti i kuq në Kanë është padyshim pasarela e pranverës më prestigjoze në botë. Festivali i Kanës është cilësuar gjithmonë si një nga ngjarjet më joshëse të kalendarit shoëbiz. Pikërisht aty, yje të kinematografisë nga e gjithë bota, u shfaqën me gjithë elegancën dhe bukurinë e tyre duke buzëqeshur para kamerave dhe aparateve fotografikë, të veshur nga stilistët më të mirë të planetit.