To top
6 Maj

Dr. Pëllumb Pipero përtej “Covid 19 “

Dr. i njohur Pëllumb Pipero, vjen në një rrëfim excluzive në këtë kohë pandemie. “Corona Virus”, ç’është, nga erdhi dhe kur mund të largohet… Jeta, profesioni, familja  dhe aktiviteti i Piperos për gjatë gjithë këtyre viteve, vijnë të detajuara, në këto ditë aspak të zakonta…

Dr. Pipero si është situata aktualisht në vendin tonë, përfshirë këtu spital-pacientë? Dhe si mendoni se do të vijojë kjo gjendje?

 Situata e pandemisë në vendin tonë është e qetë, brenda problemeve të saj sidoqoftë, me tregues në rënie graduale,  por të qëndrueshme, si për numrin e personave të konfirmuar pozitivë dhe asimptomatikë, ashtu dhe për numrin e pacientëve të shtruar në spitalë, 2-3 në ditë, ndërkohë që rastet e shëruara shtohen çdo ditë. Si do shkojë epidemia në vendin tonë, vështirë të bëjmë parashikime, por bazuar në faktin që kemi të bëjmë me një virus respirator dhe ecurinë e deritanishme pritshmëria është të vazhdojë rënia graduale e rasteve dhe besoj fundi i Majit do na gjejë të “çliruar” nga Covid 19.

Pyetja që na mundon të gjithëve është se kur do përfundojë kjo situatë, sa kohë do na duhet ta rimarrim veten?

Sa kohë do na duhet vështirë ta dimë, nuk përjashtohet mundësia që në fund të vjeshtës ose fillim të dimrit të kemi një valë të dytë të këtij virusi. Besoj do na duhet një kohë relativisht e gjatë ta marim veten, flas ne aspektin ekonomik, se në atë psikologjik do e marim veten shpejt, mandej kemi filluar ta marim veten paralelisht me lehtësimin e masave të distancimit social.

Si po e përballoni ju vet dhe familja juaj?

Unë dhe familja ime po e përballojmë si gjithë qytetarët e tjerë, me një specifikë pasi unë jam çdo ditë në spital me të sëmurët dhe kujdesi duhet të jetë i disa fishtë,  për të ruajtur veten dhe familiarët. Ka pak ankth, natyrisht por e kemi tejkaluar. Mbasditja zakonisht është e zënë edhe me mediat dhe mesazhet e shumta të qytetarëve për probleme të ndryshme shëndetësore, por kryesish rreth Covid 19.

Është një pandemi botërore cili mendoni se është shkaku, nga se erdhi ?

Shkaku natyrisht është një virus i familjes Coronaviruse, i emëruar SARS Cov 2, që jetojnë në kafshë të egra, i cili për herë të parë u konfirmua në Kinë në fund të vitit të kaluar, dhe mendohet se shpërtheu në një treg të kafshëve në provincën e Wuhanit.

Ende nuk dihet saktësisht rezervuari natyror, edhe pse janë akuzuar lakuriqët e natës dhe një kafshë tjetër e egër me luspa, pangolina, dhe ka shumë të pa njohura rreth mënyrës se si kaloi te njeriu dhe si fitoi kaq shpejt aftësi për t’u trasmetuar nga njeriu te njeriu përmes spërklave të pështymës, dhe shumë shpejt mori përmasat e një pandemie botërore, pasojat e të cilës po vazhdojmë t’i vuajmë ende.

Le të kthehemi pak në kohë cila është fëmijëria juaj dhe përse zgjodhët mjekësinë? Kam lexuar që keni qenë një prej studentëve exselentë…Nga e trashëgoni pasionin për mjekësinë keni pasur dikë në trungun familjar?

Kam pasur fëmijëri të vështirë shumë. Ishim shtatë fëmijë, unë më i madhi. Kam lindur në Skrapar dhe në vitin 1964 jemi trasferuar në Vorë. Aty kam kryer shkollën 8 vjeçare dhe të mesme. Kam filluar të punoj, për t’i ardhur në ndihmë familjes, gjatë verës që në klasën e katërt fillore, dhe mbas përfundimit të arsimit 8 vjeçar në fabrikën e tullave në Vorë, jo vetëm gjatë verës, por për disa vjet si punëtor i rregullt turni i tretë, natën. Shkoja në punë bashkë me babain në darkë vonë, dhe kthehesha herët në mëngjez e shkoja në shkollë direkt. Ishte shumë e lodhshme, por nuk kishim asnjë mundësi tjetër. Përfundova shkollën e mesme me mesatare 10. dhe meqë isha në marrëdhënie pune kërkova të shkoja për studime të larta direkt, pa bërë stazh. Në atë kohë ishte i detyrueshëm stazhi një vjeçar për nxënësit që mbaronin shkollën ditën, par ata që e mbaronin “natën” jo. Nuk më lejuan të shkoja në fakultet pasi rasti im ishte përjashtim dhe ligji i arsimit të lartë nuk e parashikonte. Shkova në stazh dhe meqë arsimi im i mesëm ishte me profil bujqësor më çuan në fermë ku punova një vit dhe më pas aplikova për studime të larta. Në fakt nuk kam kërkuar të studioj për mjekësi, doktori për mua në atë kohë ishte një engjëll i veshur me bluzë të bardhë dhe shumë njerëzor. Arsimi im ishte me drejtim bujqësor dhe nuk mund ta besoj e as të guxoja të kërkoja mjekësi, madje as në mendje nuk më kishte shkuar. Nuk kam pasur në familjen time mjek, apo infermier. Kërkova vetëm një degë, shkenca politike, pasi isha me të gjitha dhjeta, por çuditërisht më dhanë mjekësinë. Nuk u besoja syve kur lexova të drejtat e studimit të shpallura. Dhe kështu fillova studimet në Fakultetin e Mjekësisë të cilat gjithashtu i kreva me rezultate shumë të mira, me mesatare mbi 9,8.

Diku shpreheshit se mund të ishit bërë një filozof, një kardiolog, por gjithsesi fusha që zgjodhët duket që e keni me shumë pasion…madje kur ju telefonova për këtë bashkëpunim u duk në sfond një diskutim i fortë…

Ëndrrat e rinisë të asaj kohe ishin shumë më të ndryshme se të sotmet, besoj unë. Ndoshta pak ireale. Mendoja se po të studjoja shkencat politike do bëhesha “filozof”, madje na dukej fjalë shumë e madhe në atë kohë. Më pas në fakultet kisha shumë dëshira, pasione, ëndrra etj. të cilat regjimi i atëhershëm t’i treste brenda një minute, sikundër m’i treti edhe mua e shumë të tjerëve natyrisht. Më emëruan fillimisht në Spitalin Ushtarak, por shumë shpejt më trasferuan në një repart ushtarak, me një arsyetim absurd, dhe do isha harruar atje nëse një ditë nuk do takoja rastësisht në Ndroq, (atje ku ishte reparti im ushtarak), Prof. Kristo Panon dhe Prof. Durim Bebeçin, takim që më nxori nga dëshpërimi dhe më ndryshoi jetën tërësisht. Falë Prof. Kristos, të cilin e kisha pasur pedagog të sëmundjeve infektive, unë fillova specializimin e më pas u emërova në shërbimin e sëmundjeve infektive në QSUT.

Ehhh diskutimi i forte, me ju erdhi si pasojë e një shkrimi tjetër të titulluar “Portret i pa autorizuar…” dhe i faktit që ndoshta rastësisht emri im u lidh më shumë me Covid 19, ndërkohë që kontributi i kolegëve të mi dhe bluzave të bardha ka qenë dhe është po aq i spikatur, në mos më shumë. Ndaj dhe hezitova pak, por gjithsesi ju gazetarët veç këmbënguljes keni dhe diçka tjetër që sikur ngjason shumë me bluzat e bardha, ndaj dhe unë nuk mund t’ju shmangem. Shpesh me dukeni si koleget e mi me të cilët ndajmë çdo ditë informacione.

 

Si është mjekësia shqiptare? Cilat janë problemet që sundojnë më shumë mjekësinë, dëgjoj shpesh që mjekët shqiptarë janë shumë të përgatitur po t’i krahasojmë dhe me ato në vendet më të zhvilluara, por kur flasim për mjekësinë shqiptare spitalet, shumë gjëra nuk shkojnë…

Mjekësia shqiptare nuk mund t’i shpëtojë problemeve shqiptare për fat të keq. Politika shqiptare e këtyre 30 vjetëve ka menduar pak ose aspak për mjekësinë dhe bluzat e bardha. Asnjëherë nuk është hartuar një strategji e gjithpranuar nga krahët politikë dhe e implementuar në vijimësi. Secila qeveri apo ministër shëndetsie, dikaster që në përgjithësi i është shitur partive të vogla, ka vrapuar të ndërtojë strategji të re, t’i botojë në libra të bukur dhe i kanë futur në sirtare të cilat rrallë i kanë zënë me dorë. Jo se nuk ka fare arritje, do përmendja p.sh vaksinimin dhe mbulesën vaksinale, por mjekësia te ne ka qenë dhe vazhdon të jetë e nënbuxhetuar, e fragmentizuar, shumë e politizuar, veçanërisht në strukturat drejtuese, mjekët dhe infermierët të nënvlerësuar, të papaguar mirë, e madje të paragjykuar dhe jo rrallë me pranga në duar. Kemi mjekë të talentuar, por kemi infrastrukturë jo adekuate, dhe sistem shëndetësor ende larg atij që na duhet për t’i shërbyer më mirë qytetarëve.

 

Si mund të kemi ne një mjekësi model që në fund të fundit një shqiptarë të mos kërkojë të kurohet në spitalet e huaja, por të gjejë gjithçka këtu? Shteti ndoshta çfarë duhet të ketë më shumë parasysh ndoshta me politikat e tij shëndetësore?

Nuk besoj se vende të vogla si i yni mund dhe duhet të kenë mjekësi që mund të bëjë gjithçka. Mjekësia duhet të jetë kosto efektive sot, duhet të prodhojë e mirëmbajë shëndet, por dhe të gjenerojë të ardhura. Duhet sistem sigurimesh dhe financim bashkëkohor. Ka shërbime të rralla apo sëmundje të rralla për të cilat është më dobiprurëse t’i çosh pacientët në një vend apo spital që e ka shërbimin se sa të ndërtosh një shërbim shumë të shtrenjtë për pak raste në vit, të cilët dekualifikojnë edhe specialistët. Duhet doemos që spitalet jo publike të jenë komplementare gjithashtu. Mbi të gjitha duhet një strategji e gjithpranuar që të implementohen në vazhdimësi. Një sistem shëndetësor do 15-20 vjet të ngrihet, jo një mandat qeverisës 4 vjeçar, apo dhe 8 vjeçar.

 

Ju jeni një doktor shumë popullorë, profesionist, human, tepër i njohur nga puna juaj por kohët e fundit jeni kthyer në një figurë që çdo student mjekësie do të donte t’ju ngjante, çfarë do ti rekomandonit të rinjve sot?

 

Të rinjtë e sotëm kanë shumë informacion, janë shumë të ditur, të kulturuar, kanë shumë mundësi por kanë pak durim, nuk janë këmbëngulës, nuk ulen kur mësojnë por navigojnë, në celular, kanë shumë dëshira por pak pasion na duan shumë por besojnë pak, duan të ardhme, por e shikojnë jashtë vendit të tyre. Besoj se dhe politika bën pak, por dhe ata duhet të kenë më shumë durim dhe vullnet. Do i këshilloja ta ndërtonin të ardhmen këtu, dhe bashkë me të ardhmen e tyre dhe të vendit tonë, edhe pse time bijë nuk e mbajta dot këtu.

Familja juaj, për çdo njeri familja është gjëja më e shenjtë, mund të na flisni diçka më shumë në lidhje me bashkëshorten tuaj, profesionin e saj, njohja me të…

Familja ime është edhe shpirti, edhe zemra ime  një kohësisht, bashkëshortja, Mimoza, vajza Genarda, mbesa Mila Izabel, nipi Enea dhe djali Mario. Njëri më i mirë se tjetri, të gjithë më të mirë se unë. Mila më e mira nga të gjithë, pricesha e vogël. Bashkëshortja, Mimoza është grua e rrallë, nënë e devotshme. Ka studjuar farmaci dhe drejtësi, administron një biznes privat të familjes. Vajza ka studjuar për shkenca ekonomike, në Universitetin Bocconi në Milano dhe ka krijuar atje  familjen e saj, bashkëshorti një djalë italian i mrekullushëm, edhe ai bocconist. Djali, Mario, studion për shëndet publik. Asnjërit prej fëmijve nuk ju kam imponuar dot drejtimin profesional edhe pse se kisha dashur shumë të ishin mjekë të dy. Por nuk besoj se kanë bërë zgjedhje të gabuar. Imponimi do kishte qenë gabimi im.

Çdo familje ka momente të bukura dhe lumtura por dhe të vështirë ju a keni diçka për ta ndarë me lexuesit tanë?

Momenti më i vështirë në jetën time ka qenë humbja e nënës në moshë shumë të re, vetëm 40 vjeç, dhe 7 fëmijët jetim që la pas. Momente të lumtura do veçoja daljen në jetë një nga një të motrave dhe vëllezërve, ardhjen në jetë të fëmijëve Gens dhe Marios, martesën e vajzës etj. Por momenti më i lumtur ka qenë dhe mbetet ardhja në jetë e mbesës, Mila, dhe çasti kur e mora në duar, sikur ngrija globin në duar jo një beb ëngjëllor.

 

Hobet dhe pasionet e një doktori…? Dukeni në formë a merreni me ndonjë sport?

Hobet dhe pasionet e një mjeku nuk janë të shumta besoj unë, ose së paku për vete mendoj kështu. Mjekësia është një profesion mësimi i të cilës fillon në fakultet dhe vazhdon deri sa të kesh frymë, duhet të lexojmë shumë dhe çdo ditë. Hobi kam sportin, futbollin kryesisht, dhe mezi pres të rifillojë kampionati.Ju thoni që jam në formë, kështu besoj dhe unë, kam mbi 20 vjet që vrapoj çdo ditë 8-10 km.

Shoh se keni zgjedhur periferinë e kryeqytetit, për të jetuar përse…?

Ka shumë gjelbërim, ka shumë qetësi, marrë frymë lirisht më duket mua por dhe shfrytëzoj në mënyrë racionale kohën. Qyteti të vjedh kohën, nuk e kam kuptuar kurrë se si, por e di me siguri që ta vjedh dhe ta vret kohën.

Shumë mjekë të mirë i tërheq vorbulla e politikës, përse mendoni se mjekët shpeshherë përfundojnë në guackën e politikës çfarë i shtyn?

Jemi shqiptare edhe ne mjekët e Shqipërisë, dhe na duket se profesioni më i lehtë dhe më fitimprurës është politika. E provojmë, zhgënjehemi por ende nuk e di a kemi zënë mend. Ndërkohë që mjekësinë e kemi brenda nesh, në damarë dhe na thërret ta ushtrojmë çdo ditë, për të prodhuar shëndet.

Cilat janë ambicjet tuaja në fushën e mjekësisë, edhe pse keni arritur mjaft…ndonjë plan apo projekt i afërt?

Pyetje për të cilën e kam vështirë të jap një përgjigje, pasi mjekësia është ambicje nga mëngjesi në darkë dhe çdo ditë po kështu. Mjekësia është një e përpjetë në majë të së cilës i vetëm nuk arrin dot kurrë, ndaj dhe unë jetoj me ambicjen të arrij në majë në krah të ekipit. Projekt, dëshirë, a pjesë e ambicjes time është një spital infektivë bashkëkohor, të cilin nuk e kemi, vendit i mungon por popullit i duhet. Covid 19 dëshmoi së sëmundjet infektive janë gjithmonë pas derës dhe kush i harron e pëson.