To top
19 Gus

Bill Gates parashikon se kur do përfundojë pandemia!

Miliona njerëz të tjerë do të vdesin para se të mbarojë pandemia e koronavirusit. Këtë thotë  themeluesi i Microsoft Bill Gates, në një intervistë për gazetarin e The Economist.

Bill Gates tregon se shumica e rasteve të vdekjeve nuk do të shkaktohen nga vetë sëmundja e Covid-19 por nga tendosja e sistemeve të kujdesit shëndetësor dhe ekonomitë që po përjetojnë krizat. Kritikon politizimin në menaxhimin e situatës së virusit, kryesisht në Amerikë dhe përhapjen e teorive të komplotit ku është përfshirë dhe emri i tij, dhe thotë se të gjitha këto do ngadalësojnë përpjekjet për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Megjithatë, filantropi dhe themeluesi i Fondacionit Bill dhe Melinda Gates parashikon se deri në fund të vitit 2021 do të dalë një vaksinë e efektshme dhe do të prodhohet në masë. Deri atëherë një pjesë tjetër e mjaftueshme e popullsisë do të imunizohet duke ndaluar ritmet e kësaj pandemie.

Bill Gates tregon se para se të shpërthejë pandemia së pari në Wuhan të Kinës, e ka kaluar pjesën më të madhe të kohës duke menduar për viruset dhe vaksinën. Fondacioni Gates ndërkohë po bashkëpunon me qeveritë për të zhdukur poliomelitin dhe malarien, në kërkim të një vaksine të suksesshme.

Kanë kaluar disa vite qëkur miliarderi paralajmëroi se një sëmundje e re pandemike do të prekte botën dhe nuk ishte çështja nëse do të ndodhte, por kur! Ai bëri thirrje që në atë kohë që të merren masat. Fondacioni i tij është zotuar se do të investojë me 350 milionë dollarë si ndihmë ndaj përgjigjes pandemike të Covid.

Megjithatë ai thotë se duhen shumë më shumë: ‘Ne të gjithë duhet të shpenzojmë miliarda për të nxjerrë vaksinën, në këtë mënyrë shpëtojmë trilionë që po mblidhen nga dëmi ekonomik që po shkakton kjo pandemi’. / The Economist.